Social Icons

Shkëlqejnë Behrami dhe Xhemajli

Itali. Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili, si rrallëherë deri më tani kanë luajtur titullar, ndërkaq skuadra e tyre Napoli ka shënuar fitore të rëndësishme. Ekipi napolitan ka fituar në shtëpi ndaj Atalantas 3:2 dhe ka ruajtur pozitën e dytë në tabelë. Të dy lojtarët shqiptarë me pasaportë zvicerane kanë luajtur në qendër të mesfushës, duke qenë vendimtarë si në aspektin defansiv ashtu edhe atë ofansiv të ekipit.
Kjo ka qenë hera e parë që dyshes shqiptare iu ka besuar trajneri, Valter Mazzari. Fitore këtë javë ka arritur edhe Përparim Hetemaj, i cili ka qenë pjesë e Chievos në fitoren e shënuar ndaj Pescaras 2:0, si mysafir. Hetemaj ka pasur një paraqitje të mirë, ndërsa është ndëshkuar edhe më karton të verdhë në minutën 37’, ndërkohë që ishte zëvendësuar në minutën 64’. Erjon Bogdani u aktivizua në 20 minutat e fundit të barazimit pa gola që arriti skuadra e tij, Siena në shtëpi me Cagliari. Sulmuesi i kombëtares në ndeshjet e fundit ka pasur paraqitje minimale ose vetëm rezerviste në radhët e Sienës.
Gjermani. Granit Xhaka ka kompletuar edhe një mungesë në radhët e Borussia Moenchengladbach. Kosovari që luan me kombëtaren zvicerane e ka përcjellë nga bankina fitoren e ekipit të tij ndaj Hannoverit 1:0, ndeshje kjo e ekipeve që ndjekin zonën evropiane. Albert Bunjaku ka shënuar dy herë për fitoren e Kaiserslauternit ndaj Ingolstadtit (3:0), duke arritur në kuotën e 10-të golave në këtë sezon në Bundesliga II. Sulmuesi gjilanas shënoi golin e parë nga pika e bardhë në minutën 42’, derisa goli i dytë ishte një goditje me volej në minutën 71’, e cila sigurisht se do të konkurrojë ndër golat më të mirë të javës. Kaiserslautern zë vendin e tretë dhe është në rrugë të mirë për rikthim në elitën gjermane të futbollit.
Zvicër. Paraqitja e mirë e Amir Abrashit nuk i ka ndihmuar Grasshoppersit që të mposhtë Luzernin dhe të ruajë liderrshipin në Superligën e Zvicrës. Ndeshja e zhvilluar në Letzigrung është mbyllur 0:0, barazim që ia ka vjedhur Grasshoppersit pozitën e parë në tabelë, pas më shumë se dhjetë javësh. Grasshoppers ka pikë të barabarta me Baselin, por golaverazh më të dobët. Shkëlzen Gashi është aktivizuar në minutën 79’, derisa Mërgim Brahimi ka qëndruar në bankinë. Kristian Nushi e ka udhëhequr St Gallen drejt fitores ndaj Lausanne 3:1, me të cilën ky ekip është përforcuar në pozitën e tretë. Nushi është zëvendësuar në minutën 90’ nga shqiptari tjetër, Emir Lenjani.
Ukrainë. Admir Mehmedi me Dinamo Kievin e ka mposhtur Armend Dallkun dhe ekipin e tij, Vorsklla Polltava, me rezultat minimal 1:0, në kuadër të javës së 21-të të kampionatit ukrainas. Dallku si zakonisht ishte titullar në ekipin e Polltavës, ndërkohë që në këtë ndeshje edhe Mehmedi e filloi ndeshjen nga minuta e parë. Dinamo radhitet në pozitën e dytë me 44 pikë, ndërsa Vorsklla në pozitën e 14-të me 20 pikë, 9 më tepër se sa zona e rrezikshme.
Norvegji. Anel Rashkaj e ka filluar me humbje sezonin e ri në futbollin norvegjez me ekipin Sandnes. Ekipi i mesfushorit kosovar është mposhtur si mysafirë nga Stromsgodset me rezultat 2:0. Rashkaj ka qenë aktiv që nga minuta e parë, ndërsa është zëvendësuar në minutën 83’.

KLIKONI POSHT TE REKLAMA !!